Probleme të librit mbi Shqipërinë dhe të librit shqip

Sot nuk jemi si pesëmbëdhjetë vite më parë kur në rendin e ditës ishte sigurimi i ushqimit dhe i rendit dhe qetësisë publike. Sot janë të gjitha mundësitë që në vëmendjen e shoqërisë shqiptare dhe Qeverisë të jenë dhe problemet që lidhen me librin dhe me kulturimin e njeriut, me rritjen e dijeve sidomos për brezine ri që ndjek shkollat niveleve të ndryshme. Ka ardhur koha që në vend të debatit shumë të diskutuar për identitetn e shqiptarëve, të punojmë për të njojtur vehten (për t’u identifikuar- kush jemi) në rrjedhën e historisë dhe në shumë aspekte. Për këtë arsye librat mbi Shqipërinë, për të kaluarën e popullit shqiptar, për historinë, traditat e zakonet, mardhëniet njerëzore dhe besimin, trashëgiminë në art e kulturë, dallimet dhe të përbashkëtat me fqinjët dhe veçanërisht librat me  gjykimin të të huajve për Shqipërinë dhe shqiptarët, duhet të njihen nga të gjithë e sidomos nga nxënësit e shkollave dhe studentët e universiteteve. Eshtë e vërtetë se dashuria për atdheun është e lindur, ajo siç thonë merret me qumështin e nënës, por ajo zhvillohet e konsolidohet me njohjen e historisë, kulturës dhe traditave. Për këtë qëllim roli i shkollës dhe i librave është i pazëvëndësueshëm.

Gjatë këtyre viteve të fundit po botohen një numur jo i vogël librash në gjuhën shqipe nga fushat e mësipërme, madje jo vetëm në Republikën e Shqipërisë por dhe në Kosovë e Maqedoni. Pavarësisht se botimi i tyre është spontan, ato kanë plotësuar një boshllëk në bibliotekën shqiptare. Duke konsideruar shumësinë e librave të botuara, nivelin e përmbajtjes apo përkthimit të tyre dhe  botimit, përzgjedhjen rastësore dhe mosshfrytëzimin e tyre për qëllimin e mësipërm dhe sidomos mungesën e kontaktit me to nga ana e nxënsave dhe studentëve, dhe jo vetëm nga ata, gjykojmë se ka vend për masa përmirësuese të kësaj gjendjeje.

Mendoj se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve së bashku me Ministrinë Arsimit dhe Shkencës për të realizuar këtë qëllim si hap i parë duhet të krijojnë sa më parë dy borde, njëri për librin  mbi Shqipërinë (mund ta quajm dhe libri albanologjik) dhe tjetri për librat   që botohen në gjuhën shqipe (libri letrar).  Ata duhet të vendosin librat që duhet ti kenë në bibliotekat e tyre shkollat e larta, shkollat e mesme, muzeumet dhe në mënyrë të veçantë bibliotekat e rretheve. Këto Borde me specialistët më të mirë të fushave përkatëse dhe të dy ministrive, përcaktojnë se cilat nga librat e botuara duhet të blihen nga institicionet që përmendëm më lartë, duke caktuar sasinë dhe fondet e nevojshme, që duhet t’iu jepen.

Në këtë mënyrë, nga njëra anë sigurohet një fond i domosdoshëm librash mbi vendin tonë dhe letërsi në gjuhën shqipe,  për institucionet kulturore dhe ato shkollore  dhe nga ana tjetër, botuesit do të jenë më të sigurtë në kthimin e shpejtë të investimit, për të vijuar aktivitetin. Kjo do të ishte një ndihmë e konsiderueshme për autorët   dhe botuesit. Dhe këtu nuk duhet të harrojmë se në mjaft raste janë autorët ata  që financojnë botimin e librit shkencor, të cilët në asnjë rast nuk nxjerrin as shpenzimet e shtypit.

Pra, për librin shkencor dhe sidomos atë albanologjik, duhet të kihet parasysh ky fakt, që tregu asnjëherë nuk do ta justifikoj ekonomikisht botimin, prandaj them se duhet të kërkohen rrugë të tjera financimi si kudo në botë.

Së pari, është rruga që ndiqet  në të gjitha vendet e përparuara të perëndimit, nëpërmjet përfshirjes në programe kërkimore të financuara nga shteti, ku në buxhetin e kërkimit është përfshirë dhe kosto e botimit. Nuk shoh zgjidhje të afërt nëpërmjet kësaj rruge. Sidoqoftë kjo është një detyrë që strukturat përkatëse duhet ta zgjidhin

 Së dyti, është sponsorizimi i botimeve shkencore dhe në mënyrë të veçantë të atyre që lidhen me historinë, gjuhë dhe traditat, nga persona juridik dhe fizik, duke e zbritur vlerën e këtij donacioni nga detyrimet fiskale. Tek ne kjo mundësi qëndron, por vlera e lejuar për këtë qëllim në ligj  është shumë e vogël. Më sa kam dije unë, për përvojën e vendeve evropiane, kjo shifër, për këto fusha të interesit të veçantë për vendin tonë, duhet të rritet mbi dy herë (duke e kontrolluar dhe më tepër), ndërsa edhe më shumë duhet të rritet vlera e sponsorizimit që zbritet nga taksat, që jepet nga personat fizikë  (pas shlyerjes së detyrimeve fiskale)  . Eshtë fare e lehtë të merret përvojë nga vendet evropiane në këtë drejtim, madje përpara hartimit të buxhetit të këtij viti.

Vetëm me një mbështetje të tillë do të mund të kemi një rritje në sasi dhe cilësi në këto fusha , duke plotësuar boshllëqet e krijuara, sidomos vitet  e fundit, me përfitime të shumta në shkallën e njohjes së historisë, gjuhës dhe traditave tona në kulturë dhe arte, njëherazi dhe me përshkrimet e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga udhëtarët e huaj.

Jam i sigurtë se studjuesit tanë do punojnë për t’a justifikuar këtë mbështetje në se ajo do të jepet.

 

Botuar në “SHQIP” 8.10.2006

Shperndani postimin

Lini nje koment

Adresa juaj e email-it nuk do te publikohet. Fushat e detyrueshme jane te shenuara me *